Avioni i mbushur me kokainë rrëzohet në Meksikë

Një avion i vogël, i mbushur me thuajse gjysmë toni kokainë, u përplas, në Meksikë, pasi autoritetet ishin vënë në ndjekje të tij. Dy persona që ishin brenda avionit humbën jetën, tha të mërkurën Ministria meksikane e Mbrojtjes.

Helikopterët e ushtrisë meksikane e pikasën avionin në hapësirën ajrore të shtetit dhe e ndoqën për qindra kilometra derisa trafikantëve iu mbaroi karburanti dhe u rrëzuan në Botija, në qendër të Meksikës, njoftoi ministria në një deklaratë për mediat. Avioni ishte i mbushur me 400 kilogramë kokainë, sipas autoriteteve, sasi që në tregun amerikan me pakicë vlen 19,2 milionë dollarë.

Në muajt e fundit, një numër i madh avionësh privatë janë rrëzuar apo braktisur në Amerikën Qendrore dhe në jug të Meksikës, të gjithë të lidhur me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.