“Brenda një dekade do të kemi drejtësinë si vendet që u referohemi”, Rama: Me Metën, Saliun e Lulin nuk ka drejtësi

Rama asambleja ps 4 1100x620

“Brenda një dekade të kemi drejtësinë që të tjerët e kanë ngritur me dekada”. Ishte ky një tjetër premtim i kryeministrit, Rama, i cili kërkon mandatin e tretë. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Socialiste, kreu i qeverisë theksoi se drejtësia nuk është ende aty ku pritet, por ka nisur çmontimi i korporatës më të korruptuar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Për të ngritur një sistem drejtësie të drejtë e funksional nuk mungon as vullneti, as vizioni e as ligjvënia, por duhet kohë, sistemet e drejtësisë që u referohemi si modele nuk duhet ta harrojmë që janë ngritur kur ne s’kishim lindur akoma, ndërkohë që ne falë faktit që jemi sot në një sfidë ku nuk jemi vetëm, do t’i kapërcejmë etapat dhe kohën e gjeneratave për të arritur që brenda një dekade të kemi drejtësinë që të tjerët e kanë ngritur me dekada.

Drejtësia nuk është ende aty ku e presim, po përpëlitet akoma në pelenat e përgjakura, të një lindje të vështirë, ama kujt i shkonte mendja dhe kush tjetër mund ta dinte, që do vinte dita që korporata më e madhe antishtet dhe fitimprurëse, nën kostumin e shtetit e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar, do të çmontohej”.

Sipas Ramës, kjo është arsyeja që kush do drejtësinë në këtë vend duhet të mbështesë, sot, vetëm PS-në dhe jo presidentin Meta, ish-kryeministrin Berisha apo kreun demokrat, për të cilët shprehet se me ta nuk do të ketë kurrë drejtësi

“Kush do drejtësinë në këtë vend duhet të mbështesë sot vetëm PS-në dhe mjafton të dëgjojë Metën e Saliun, Monikën e Lulin – dhe pse Luli bën ca i thonë këta 3 të tjerët – për të kuptuar se me ne në krye ka vështirësi, por nesër do ketë drejtësi. Me ta ka vështirësi dhe kurrë s’ka për të pasur drejtësi”.