Dasho: Mjekët po u japin trajtimin agresiv pacientëve me telefon

Mjeku Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 u shpreh se në vendin tonë po shtohen shumë trajtimet agresive që jepen nga mjekët nëpërmjet telefonit.

“Pacientët me Covid po trajtohen në dy modalitete. Modaliteti i parë është në shtëpi dhe i dyti në spitale. Kur trajtohen në shtëpi, rrallë qëllon që të kenë kontakt me punonjësit shëndetësor. Ata mjekohen vetëm me telefon dhe i nënshtrohen një mjekimi tepër agresiv. Ky trajtim tashmë po bëhet masiv, sipas informacioneve që më vijnë mua nga shumë qytetarë. Sapo shfaqen shenjat e virozës, mjeku i familjes i jep me mesazhe trajtimin agresiv. Problemi është se nëse deri tani patogjeni kryesor që qarkullonte ishte Covid, në këtë stinë do të qarkullojnë shumë patogjenë të tjerë. Çdo person kalon 2-3 episode dhe imagjinoni tani që secili qytetar pa u ekzaminuar t’i nënshtrohet trajtimit se dyshohet për Covid. Kjo sjell dëm për individin, pasi atij nuk i nevojitet antibiotiku. Urgjentisht duhet rishikuar protokolli i monitorimit dhe ndjekjes. Një stinë virozash që na gjen me këtë përqasje, secilin nga ne na bën kandidatë për 2-3 trajtime me antibiotikë”, deklaroi Dasho.

Mjeku theksoi se “duhen platforma dhe zgjidhje teknologjike për telemjekësinë”.

“Mjekun e kemi lënë me WhatsApp dhe Messenger, që nuk janë platforma që mund të përdoren për ndihmë mjekësore”, u shpreh Dasho.

Eksperti kritikoi edhe autoritetet që lënë njerëzit në ankth për testin: “Vendet e përgjegjshme nuk i lënë njerëzit të presin ditë të tëra për testin dhe ditë të tëra për përgjigjen e testit. Ne nuk testojmë dhe nuk diagnostikojmë si duhet personin sepse na çalon testimi për Covid”.

“Numri i rasteve po rritet kudo, por zgjidhja është trinomi testo-gjurmo-trajto. Duhen testime të mjaftueshme, të gjurmohet me metoda digjitale dhe të trajtojnë siç duhet, jo siç thamë më sipër. Me këtë trinom nuk ke nevojë për karantinë dhe kufizime”, theksoi Dasho.