“In Memoriam”, profili i një artisti si Gjergj Vlashi

Të rrallë janë ata që nuk i mbajnë mend ditët festive të fundvitit kur për ditë të tëra familjet shqiptare uleshin të qeshnin me shfaqjet që përgatisnin regjisorët e të gjitha teatrove si një urim për vitin që po vinte. Pas këtij realizimi ishte edhe Gjergj Vlashi, artisti që e nisi karrierën e tij artistike në teatrin e Durrësit e po aty zgjodhi të firmoste edhe ditën e fundit të punës përpara se të dilte në pension.

Sot, Gjergj Vlashin nuk e kemi më fizikisht mes nesh, por vepra e tij mbetet. Vlashi është autor dhe regjisor i 100 premierave në Varietenë e Durrësit, si dhe në qytete të tjera të vendit. Njihet si “babai i varietesë shqiptare”. Homazheve për Gjergj Vlashi, iu bashkuan miqtë, kolegët, familjarë e bashkëqytetarë të tij, të cilët kujtojnë me respekt e dashuri, Xhorxhin, siç e njihte komuniteti.

Mojkom Zeqo, Vangjel Toçi dhe Gjergj Vlashi, për regjisorin Haxhi Rama janë tre korifenjtë e kulturës durrsake, të cilët me ikjen e tyre nga kjo jetë lanë pasuri të vyera. Për aktoren e mirënjohur Aishe Stari, ikja e përkthyesit, regjisorit dhe shkrimtarit Gjergj Vlashi, është një dhimbje e madhe, ndërsa kujton me nostalgji bashkëpunimin ndër vite me të.

E ndonëse, Vlashi njihet si regjisor e skenarist, një pasuri e madhe që lë pas janë edhe librat. Është mjaft i njohur si përkthyes dhe si shkrimtar, me rreth 30 libra të publikuar me letërsi origjinale dhe me përkthime nga gjuhët gjermane, italiane, ruse, portugeze e spanjolle. Ndërsa miqtë e tij nguteshin të emigronin, në fillim të viteve ’90, të bënin dokumente për të jetuar në një vend europian apo për të kërkuar pronat e grabitura, pas vitit 1992, për Gjergj Vlashin ishte koha për letërsi. Ai përktheu Kafkën, por edhe Saramangon shumë kohë përpara se vetëm ky i fundit të fitonte çmimin Nobel. Me shijen dhe nuhatjen për më të mirët e letërsisë, Vlashi me gjuhën e tij artistike na lë pas një thesar me vepra.

Gjergj Vlashi, i cili mban titujt e lartë “Nderi i Kombit,“Mjeshtër i Madh” dhe “Artist i Popullit” u lind në Durrës, më 13 korrik 1928, por këtë vjeshtë u nda nga jeta, në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas vepra me vlerë në kulturën shqiptare dhe një brez artistësh të kultivuar prej tij.