Meta: Dorëhiqem nëse Rama bën publik emrin dhe vendin kur kam takuar një subjekt të OFL-së

meta 3 1100x620

Presidenti i vendit, Ilir Meta, në një mesazh drejtuar Asamblesë së Partisë Socialiste, si një ish-anëtar i saj, ka akuzuar kryeministrin Rama se ka marrë peng këtë parti dhe po e keqpërdor stemën e PS-së.

“Unë hyra në Partinë Socialiste, atëherë kur nuk shkonte asnjë i ri dhe kur Edi Rama hidhte baltë të zezë mbi socialistët dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Është ky individ, të cilin PS e mori nga refugjat dhe e bëri ministër, kryetar bashkie dhe kryeministër, i cili sot ka marrë peng këtë parti dhe po e keqpërdor stemën e PS-së për të bllokuar integrimin e Shqipërisë”, shruan Meta në një postim në Facebook.

Po ashtu, kreu i shtetit, i është përgjigjur dhe akuzave të Ramës, i cili e deklaroi nga foltorja e Kuvendit se Meta takon në skuta katundesh subjekte të OFL-së.

Meta i kërkon kryeministrit të thotë publikisht, emrin, orën dhe vendin kur ky takim ka ndodhur, dhe ai do të japë menjëherë dorëheqjen ose në të kundërt nuk do t’i ndahet derisa të gjithë së bashku ta përzënë nga PS.

“Ky njeri pa Atdhe, pa nder, pa vlera më akuzon sot se kam takuar skutave subjekte të OFL-së. I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së krimit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen. Përndryshe, nëse nuk e bën këtë gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, jam i detyruar të merrem çdo ditë me të dhe t’u faktoj shqiptarëve lidhjet e tij të tmerrshme me botën e krimit, dëmet ndaj çështjes kombëtare, dhe nuk do t’i ndahem derisa ta përzëmë së bashku edhe nga Partia Socialiste.”