SHBA përsërit angazhimin për reformën në drejtësi: Sigurohemi që organet e vetting-ut të respektojnë ligjin

ambasada amerikane 1100x620

Ambasada amerikane përsërit, edhe një herë, mbështetjen ndaj reformës në drejtësi. Përmes një deklarate të shkurtër në Twitter, përfaqësia diplomatike amerikane, në Tiranë, shpreh monitorimin që po i bën, veçanërisht, procesit të vetting-ut.

“Shtetet e Bashkuara janë angazhuar që të shohin procesin e vetting-ut në Shqipëri të vazhdojë me profesionalizëm dhe përkushtim. Me dy vendet tona në bordin e ONM-së – një për Departamentin e Shtetit dhe një për Departamentin e Drejtësisë – për monitorimin e procesit të vetting-ut dhe nëpërmjet vëzhguesit tonë ndërkombëtar, ne sigurohemi që organet e vetting-ut të respektojnë ligjin”, thuhet në deklaratën e SHBA.

Një ditë më parë, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, përgëzoi punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe i bëri thirrje prokurorëve e gjyqtarëve që të aplikojnë për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.