Të braktisur në aeroport, ngordhin dhjetëra mijëra zogj, të tjerë mbijetojnë me kanibalizëm

Zogj pule 1100x620

Një “masakër” e vërtetë, që preku edhe zemrën e punonjësve të policisë që inspektuan aeroportin e Barajas në Madrid.

Në një cep periferik të terminalit, qindra kuti kartoni gjendeshin të braktisura nën të nxehtin e ditës dhe të ftohtin e natës të tetorit spanjoll.

Vetëm tre ditë më vonë, disa punonjës sinjalizuan faktin, duke zbuluar dhjetëra mijëra zogj pule që kishin ngordhur pas një agonie vërtet hidhëruese.

Nga 26 mijë zogjtë që u gjendën në terminal, 20 mijë kishin ngordhur nga kushtet klimaterike dhe mbipopullimi, që i pengonte të lëviznin. Rreth 6 mijë të tjerë kishin mbijetuar duke ngrënë kufomat e zogjve më të pafat.

Pamjet nga policia spanjolle

Ngarkesa me zogj ishte braktisur pasi shiu kishte prishur ambalazhimin, dhe nuk merrej më përsipër nga shoqëria e transportit, që tani mund të përballet me akuzën e keqtrajtimit të kafshëve.

Disa shoqata animaliste filluan të mbledhin zogjtë e shpëtuar, duke i dërguar në disa qendra në periferi të kryeqytetit, me pamje të shpërndara në rrjetet sociale që tregojnë si zogjtë shijojnë lirinë duke çukitur barin përreth, pas makthit të përjetuar.