Vullkane, lule çudibërëse, shkëmbinj pjellorë, guva të fshehta: Ishujt më “sexy” në botë ndodhen në Mesdhe

Në qoftë se jeni duke kërkuar ishujt e dashurisë, ku ndjesitë, peizazhi madje dhe flora që i karakterizon shkojnë në harmoni me epshin dhe pasionin e dhuruar nga Kupidi, mos kërkoni larg.

Nuk bëhet fjalë për Karaibet, ose ishujt e Oqeanisë. Sipas një numri gjithmonë e më të madh turistësh elitarë, në kërkim të përhershëm të emocioneve të forta, ky vend nuk është aspak mitik, por ekziston në Mesdhe. Janë ishujt e Strombolit dhe Filikudit, në arkipelagun italian të Eolieve, ishuj që i përkasin një tjetër ishulli po aq të mahnitshëm, Sicilisë.  

Edhe pse tradita “afrodiaziake” e ishujve sipas banorëve është e njohur qysh nga koha e qytetërimeve greke, romake dhe arabe që kanë pushtuar këto zona, vetëm vitet e fundit fama ka kaluar vendin dhe është përhapur në Europë dhe më gjerë.

Gjithçka në këtë arkipelag flet për pasionin dhe dashurinë. Deti i kaltër, koha e mahnitshme për pjesë të mirë të vitit, ushqimi i shijshëm mesdhetar. Por edhe fenomene tejet të forta, si shpërthimet e shumta të vullkaneve ende aktive që karakterizojnë ishuj si Stromboli, dhe që ndihen pothuajse çdo ditë.

Sipas banorëve, edhe këto lëkundje dhe shpërthime krijojnë atmosferën e duhur te dhjetëra çiftet që paguajnë çdo ditë çmime të kripura për të vizituar bukuritë e ishujve me varkë dhe me jahte, sipas xhepit, por edhe në kërkim të guvave të shumta, të fshehura nga sy kurioze, ku mund të shijojnë privatësinë e tyre.

Disa nga këto site janë tashmë legjendare, si La Canna në ishullin Filikudi, një shkëmb gjigant, me forma padyshim sensuale, ku veçanërisht gratë tentojnë të shkojnë për t’i uruar vetes fertilitetin e dëshiruar, ose thjesht disa pushime plot surpriza të këndshme.  

Disa nga këto surpriza vijnë edhe nga bimët që rrethojnë kudo ishujt. Bëhet fjalë për njëlloj jasemini, i njohur si cestrum nocturnum, aroma e së cilës  sipas banorëve lokalë ka fuqi çudibërëse tek të dashuruarit.