Greva në burgje, Ministria e Drejtësisë: E nisën të dënuarit e regjimit 41bis

burgu i peqinit 1100x620

Të dënuarit me burgim të përjetshëm, të cilët i nënshtrohen regjimit 41bis në burgun e Peqinit janë nismëtarët e grevës që ka përfshirë këtë institucion, thotë Ministria e Drejtësisë në një komunikatë për mediat.

Ministria thotë se nuk ka pasur “grevë masive në burgje”, por disa të burgosur që shlyejnë dënimin në burgun e Peqinit kanë refuzuar marrjen e ushqimit nga Institucioni duke paraqitur kërkesa të karakterit legjislativ për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm, uljen e dënimeve, amnisti. “Situata është nisur nga subjekte të Regjimit 41bis pavarësisht përhapjes së saj edhe në grup të dënuarish të tjerë në disa institucione të tjera”, thotë Ministria.

Sipas saj, situata e krijuar ka marrë fund që më 9 tetor në burgun e Peqinit dhe gjatë ditës së sotme edhe në institucione të tjera në vend. “Të dënuarve ju është mundësuar adresimi i shqetësimeve të tyre ligjore nëpërmjet përfaqësuesve të tyre ligjorë dhe organizmave monitoruese të të drejtave të njeriut”, thotë Ministria.

Gjithashtu ajo njofton se ka nisur një hetim për “të gjithë elementët dhe faktorët e brendshëm apo të jashtëm që kanë synuar provokimin dhe nxitjen e kësaj situate me qëllim destabilizimin e sigurisë në burgje. Ministrja e Drejtësise ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune që do të shohë me kujdes të veçantë problematikat e konstatuara për çështjet e sigurisë dhe respektimin e të drejtave të të dënuarve në respekt të kuadrit ligjor në fuqi përfshi dhe ndryshimet e përmirësimet e nevojshme në strukturat drejtuese të sistemit të burgjeve”.