“Koha nuk pret deri më 25 prill”, Basha: Po rritet në mënyrë të frikshme numri i njerëzve që marrin ilaçe me listë

basha per mediat 2 1100x620

Kreu demokrat, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët për situatën në vend, ngriti shqetësimin se po rritet numri i njerëzve në farmaci që po marrin ilaçe me lista, ndërkohë që qeveria, deri tani, nuk po bën asgjë. Ai tha se plani i PD-së ka propozuar rimbursimin e plotë të paketës për të sëmurët ambulatorë.

“Situata shëndetësore vazhdon të përkeqësohet, ditë pas dite, sado të fshihen shifrat e të infektuarve, qytetarët e sëmurë nuk fshihen dot. Dje m’u konfirmua lista në farmaci, është rregulli jo përjashtimi, numri i njerëzve me lista në farmaci po shtohet në mënyrë të frikshme. Kemi propozuar rimbursimin e plotë të paketës për të sëmurët ambulatorë”.

Për kreun demokrat 25 prilli është shumë larg, pasi qytetarët duan ndihmë tani, dhe hapi kryesor duhet të jetë për sektorin shëndetësor si dhe një ndihmë e veçantë për shkollat, pasi hapja e tyre ka vendosur në rrezik pedagogët. Por, sipas Bashës, paratë nuk përdoren për ndihmat emergjente, por për një grup oligarkësh.

“Banka Botërore ka përkeqësuar parashikimin për rënien e ekonomisë shqiptare. Qeveria vazhdon të marrë borxh, por paratë nuk i çon te njerëzit. 61% e bizneseve në vend, zero fitime.

Sot, nuk ka burime financiare për të mbuluar shpenzimet për maskat dhe dezifektantët. Vetëm 4 ditët e fundit janë paguar 1.8 milionë euro për inceneratorin dhe 200 mijë euro për të Fierit.  Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë prezantuar paketën e katërt. Banka Boterore parashikon që mbi 40% e shqiptarëve do të jetojne me më pak se 4 dollarë në ditë.

Kemi propozuar që pensionistët të marrin një shtesë prej 20 mijë lekësh në muaj.”

Basha kërkoi një bashkim më të madh të shqiptarëve për të ndalur këtë gjendje të vendit. Sipas tij, moszbatimi i planit me 5 pika e ngarkon, Edi Ramën dhe ministrat e tij me përgjegjësi penale.

“74 milionë euro Edi Rama ua ka dhënë inceneratorëve. Paratë tuaja, paratë e taksave tuaja, Edi Rama vazhdon t’ua japë inceneratorëve. Pagesa totale për inceneratorët është 72 milionë euro- 100 mijë të papunë do të kishin mundësi të merrnin 160 mijë lekë të vjetra në muaj. Kriza nuk përballohet me gënjeshtra dhe teatër të dalë mode. Është e vetmja qeveri në botë që dhe në situatë si ajo e tërmetit nuk e ndal vjedhjen. Më 11 mars, në mes të pandemisë, Edi Rama bëri tendera sekretë. Dy javë pas shpalljes së planit tonë, kemi një qeveri të vendosur të injorojë nevojat e shqiptarëve dhe të vazhdojë vjedhjen. Kërkoj një bashkim të madh shqiptarësh që ta nxjerrim vendin nga kjo gjendje. Moszbatimi i planit me 5 pika e ngarkon, Edi Ramën dhe ministrat e tij me përgjegjësi penale. Të ndalë menjëherë pagesat korruptive nga thesari i shtetit. Shqipëria nuk është një vend i varfër, por i vjedhur dhe i keqqeverisur. Si gjatë tërmetit dhe gjatë pandemisë”.