Retorika Rama-Meta, përgjigjet Basha: Alibi për të hequr vëmendjen nga hallet e vërteta të shqiptarëve

basha 2 1100x620

Kreu demokrat, Lulzim Basha, e konsideron shpërqëndrim nga hallet e njerëzve retorikën e ditëve të fundit, Rama-Meta. Për kreun e PD-së i vetmi shqetësim i tij janë hallet e qytetarëve, gjithçka tjetër është alibi.

“Shqetësimi im kryesor është fati i shqiptarit të thjeshtë. 90% e shqiptarëve janë të kërcënuar në të ardhurat e tyre minimale, 45 % janë të kërcënuar te buka e gojës. 70% e bizneseve po shkojnë drejt humbjes, 100 mijë të papunët që po shtohen dita-ditës dhe shëndetësia në kolaps. Këto janë shqetësimet e mia të tjerat nuk ndihmojnë, por përdoren si alibi për të hequr vëmendjen nga hallet e vërteta të shqiptarëve.”

Basha mohoi në mënyrë kategorike edhe një aleancë të mundshme PS-PD pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Rama e di çfarë e pret pas 25 prillit.  Pas 25 prillit, Edi Ramën nuk e pret asgjë tjetër, përveç gjykimit qytetar dhe vendosmërisë sime për të bërë të mundur që drejtësia të bëjë të sajën dhe ta ndëshkojë për çdo krim dhe aferë korruptive që ua ka nxirë jetën këto 7 vite. Vetëm ky është shpëtimi i Shqipërisë jo vetëm nga përgjegjësi për këtë situatë, por nga kushdo tjetër që mund të mendojë pas tij se mund të bëjë çfarë ka bërë ai me shqiptarët dhe t’ia hedhë pa lagur. Jo! 25 prilli nuk do të jetë, thjesht dhe vetëm, fillimi i një ndryshimi, por do të jetë fundi i pandëshkueshmërisë. Pushtetet janë ndërruar edhe më parë, por pandëshkueshmëria ka vazhduar. Pa diskutim, për këtë jemi përgjegjës dhe ne. E përsëris zotimin tim publik: kush ka vënë dorë në interesin publik të shqiptarëve, mbi pasuritë e shqiptarëve, mbi taksat e shqiptarëve dhe ka cenuar rëndë jetën, shëndetin, shpresën e tyre do të marrë ndëshkimin e merituar me ligj.”