Trump i kthehet aktiviteteve, Fauci kritikon Shtëpinë e Bardhë për shpërfillje të masave

Eksperti i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, Anthony Fauci, kritikoi Shtëpinë e Bardhë për organizimin e një eventi muajin e kaluar, i cili është lidhur me shpërthimin e covid-19. Fauci, pjesëtar i Task Forcës për koronavirusin, tha se shpallja e të emëruarit të Trump për Gjykatën e Lartë kishte qenë një event super-përhapës, siç e cilësoi. Të paktën 11 prej pjesëmarrësve, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, rezultuan pozitiv.

Pamje të xhiruara, në ceremoninë e mbajtur në kopshtin e trëndafilave, në Shtëpinë e Bardhë, më 26 shtator i treguan të ftuarit teksa shpërfillnin rregullat anti-covid, duke mos mbajtur maska e duke u përqafuar apo shtrënguar dorën me njëri-tjetrin. “Të dhënat flasin vetë. Patëm një event super-përhapës në Shtëpinë e Bardhë, njerëzit ishin të ngjeshur pas njëri-tjetrit dhe nuk mbanin maska”, tha ai.

Fauci theksoi se ekspertët kanë rekomanduar mbajtjen e maskave prej 6 muajsh dhe dënoi përdorimin e fjalës kurë, nga ana e Trumpit, në një referencë për medikamentin eksperimental të cilit i ishte nënshtruar në spitalin ushtarak. Në një intervistë për Fox News të premten, presidenti amerikan shmangu t’i përgjigjej në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjes nëse ishte testuar sërish për covid-19, një ditë para se t’i kthehej aktiviteteve elektorale.

Të shtunën, kur sipas mjekëve të tij bëhen dhjetë ditë që prej konfirmimit të sëmundjes, Trump do të mbajë një fjalim nga shtëpia e bardhë për një grup prej qindra të ftuarish. Pjesëmarrësve do t’u kërkohet të mbajnë maskë, do të kontrollohen për temperaturë dhe do të inkurajohen të ruajnë distancimin social.