Yll kinemaje dhe dublant i vetes, Tom Cruise nuk e ul shpejtësinë as me motor policie

Tom Cruise është fotografuar në rrugët e Romës duke ecur me shpejtësi me një motor policie. Ylli hollivudian po xhironte një skenë aksion për filmin e fundit, Mission Impossible 7, që pritet të dalë në kinema vitin e ardhshëm.

Si zakonisht, Cruise nuk preferoi të përdorte dublant, por qëndroi gjatë gjithë kohës mbi motor duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve të Romës. 58-vjeçari luan prej më shumë se 20 vitesh agjentin special Etan Hunt, dhe asnjëherë nuk ka zhgënjyer me skenat aksion, sikundër bëri në kryeqytetin italian.

Përveç Romës, skena të filmit janë xhiruar edhe në Norvegji, dhe vende të tjera, ndërsa produksioni nxiton të mbyllë xhirimet për të kapur afatin e nxjerrjes së filmit në kinema në nëntor 2021.