Banorët e Selenicës sërish në protestë për rrugën, kërcënojnë se do bojkotojnë zgjedhjet

Për të dytën herë brenda pak ditësh, banorët e Selenicës kanë dalë në protestë për anulimin e lotit të katërt të rrugës së lumit të Vlorës.

Protesta u pasua me një marshim në rrugë dhe bllokimin e saj për disa minuta në shenjë simbolike.

Banorët paralajmëruan se kjo është protesta e fundit paqësore, pasi në atë të radhës do të bllokojnë rrugën e qytetit dhe nuk do të lejojnë që bitumi, pasuria e Selenicës, të dalë nga qyteti. E ndërsa jemi në vit zgjedhor, ata kërcënojnë dhe me bojkot të procesit elektoral.

Sipas tyre nga autoritetet qeveritare nuk ka asnjë reagim, ndërsa i vetmi që i ka pritur dhe është angazhuar për zgjidhjen e problemet të tyre ka qenë presidenti Meta.

Kujtojmë se loti i katërt i rrugës së Vlorës në projektin fillestar të saj parashikohej të kalonte nga Ura e Peshkëpisë në Selenicë dhe më pas lidhej me autostradën Levan-Tepelenë, ndërsa ky projekt tashmë kërkohet të devijohet për të kaluar nga Ura e Peshkëpisë në Kuç dhe më pas lidhet me autostradën Levan Tepelenë, duke anashkaluar Selenicën.

Në këtë mënyrë Selenica mbetet pa rrugë pasi edhe aksi rrugor aktual është lënë në më shumë se 20 vite në harresë.