“Britania, në një pikë kritike”, rrezikohet izolimi i plotë

Koronavirusi ne britani 1100x620

Britania rrezikon t’i rikthehet izolimit kombëtar. Paralajmërimi është bërë nga profesor, Peter Horby, një shkencëtar britanik dhe këshilltar i kryeministrit Johnson, i cili thekson se Britania e Madhe është në një pikë kritike, me numrin e rasteve ditore që vijojnë të rriten, po ashtu edhe numri i të shtruarve në spital.

E ndërsa diskutimet vijojnë, të hënën, kryeministri Boris Johnson pritet t’i drejtohet popullit me një fjalim, për të shpallur masat e reja shtrënguese, që do të hyjnë menjëherë në fuqi.

Pritet që plani i masave të ndahet në 3 pjesë, sipas rajoneve dhe raportimeve të Task Forcës. Ndërsa këtë të diel, Johnson mbledh kabinetin qeveritar për të marrë një vendim përfundimtar.

Vetëm 24 orët e fundit, Britania raportoi mbi 15 mijë raste të reja. Sipas ekspertëve, Britania është gati të nisë një mision kritik, ku spitalet do të duhet të shmangin çdo shërbim tjetër shëndetësor, njësoj siç bënë gjatë izolimit të muajit mars.