Denoncimi i PD, Tabaku: Inceneratorët po iu marrin shqiptarëve 400 milionë euro nga xhepi

tabaku pronat frame 349 1100x620

Partia Demokratike vijon të akuzojë mazhorancën në lidhje me projektet me PPP, dhe kësaj radhe fokusi është tek inceneratorët.

Sipas ish-deputetes demokrate, Jorida Tabaku, qeveri ka shkelur 10 procedura ligjore me dhënien me PPP të inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Ajo shton se këto projekte do t’i kushtojnë taksave të shqiptarëve 400 milionë euro.

“Qeveria Rama shkeli mbi 10 procedura ligjore, në dhjetor 2016, kur i dhuroi një kompanie të themeluar gjashtë muaj përpara për t’i dhënë inceneratorin e Elbasanit. Të njëjtën skemë ndoqi edhe për inceneratorin e Fierit dhe së fundmi edhe për inceneratorin e Tiranës.

Të tre këto inceneratorë do të paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe vlera përfundimtare e faturës së tyre është 400 milionë euro. 79 milionë euro janë paguar në total dhe nuk ka filluar akoma puna.

Bashkia e Tiranës ka rritur mbi 35% tarifën e pastrimit. Qytetarët e Tiranës paguajnë më shumë tarifë pastrimi, bizneset në Tiranë paguajnë më shumë tarifë pastrimi, por qytetarët e Durrësit u mbushën nga plehrat pikërisht që inceneratori i Tiranës të menaxhojë mbetjet e tyre”, shkruan mes të tjerash, Jorida Tabaku.