Jeta e shpendëve shtegtarë në fotografi

“Wildlife Albania Photography” është grupi më i madh i fotografëve shqiptarë në të gjitha trevat shqipfolëse në rajon, që me aparatet e tyre sjellin foto të shpendëve shtegtarë dhe kafshëve të egra të kapura në natyrë.

Ky grup ka organizuar një ekspozitë me fotografi, e cila është hapur në qytetin e Prizrenit në Kosovë.

Arian Mavriqi, kryetar i kësaj organizate, u shpreh se kjo ekspozitë do të prezantohet në të gjithë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoni e Veriut dhe Malin e Zi.

Të jesh fotograf i botës së egër nuk është gjë e lehtë, pasi që kjo kërkon durim dhe përqendrim të madh. Përveç kënaqësisë që të jep shkrepja e një fotoje, ky angazhim shërben edhe për të sensibilizuar njerëzit që të mbrojnë dhe të bëhen një me natyrën dhe aq më tepër të mbrojnë shpendët dhe kafshët e rralla që janë në rrezik zhdukjeje.