Kampe mbijetese me armë dhe ushqim për 25 vjet pritet të hapen në SHBA pas zgjedhjeve

Një rrjet bashkësish mbijetese pritet të hapen për anëtarët e tyre pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në SHBA, nga frika e dhunës që mund t’i pasojë ato.

Sipas një letre të publikuar nga kompania që i menaxhon ato, kampet “Fortitude Ranch” në West Virginia dhe Colorado do të hapen në ditën e zgjedhjeve për të mbrojtur anëtarët duke iu ofruar atyre bunkerë, roje dhe ushqim të mjaftueshëm për 25 vite.

Pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet Trump apo rivali i tij demokrat, Biden, “Fortitude Ranch” parashikon dhunë dhe plaçkitje që mund të përshkallëzohen për një kohë të pacaktuar.

Sipas njërit prej drejtuesve të këtyre kampeve, shumë njerëz në rrjetet sociale i frikësohen dhe një luftë civile, mundësi të cilën ai nuk e përjashton.

“Fortitude Ranch” është hapur për herë të parë në West Virginia në 2015, ndërsa kompania disponon dhe dy prona të ngjashme 50 hektarësh në Colorado. Vendi ekzakt se ku ndodhen mbahet sekret dhe dihet vetëm nga anëtarët.

Për një pagesë vjetore prej 1000 dollarësh anëtarët mund të shkojnë për pushime në këto kampe, ose nëse situata përkeqësohet mund të kërkojnë strehim.