“Koronavirusi mund të mbijetojë në kartëmonedha apo ekranet e telefonit deri në 28 ditë”

koronavirusi 1 1100x620

Studimet mbi koronavirusin SARS-Cov-2, i cili ka ndryshuar botën, janë të shumta, shpesh herë edhe në kundërshtim me njëri-tjetrin.

I tillë është edhe studimi i fundit i kryer nga Agjencia Kombëtare e Shkencës në Australi, i cili ka dalë në përfundimin që Covid-19 mund të qëndrojë në sipërfaqe të tilla si kartëmonedha apo ekranet e telefonit deri në 28 ditë. Këto përfundime tregojnë se SARS-Cov-2 mund të mbijetojë shumë më gjatë në sipërfaqe të tilla nga sa mendohej më parë.

Ekspertët shprehen se virusi transmetohet më lehtë kur njerëzit kolliten apo teshtijnë, por ai mund të përhapet, sipas tyre, edhe nëpërmjet grimcave në ajër si dhe në sipërfaqe të tilla si metali apo plastika.

Nga studimet e mëparshme laboratorike thuhej se virusi mund të mbijetonte për dy apo tre ditë në kartëmonedha e në sipërfaqe qelqi dhe deri në 6 ditë në sipërfaqe plastike apo hekuri, megjithatë studimi i fundit ka rrëzuar poshtë këto përfundime.

Sipas studimit të botuar në “Virology Journal”, virusi mbijeton më pak në temperatura të larta. Në rastin e studiuar, në temperaturë 40 gradë celsius, ai nuk ishte më efektivë pas 24 orësh në disa sipërfaqe.

Ky përfundim thekson nevojën për të larë duart, si dhe për të dezinfektuar sa më shpesh ambientin ku jetojmë.