Shqipëri zhgënjyese, vetëm barazim në Kazakistan

Edy Reja deklaroi përpara ndeshjes se Shqipëria do të luante në Kazakistan për të mos humbur, duke lënë të nënkuptohej se objektivi primar ishte barazimi. Në fakt, Kombëtarja në Almati dukej si një skuadër e cila nuk e kërkonte fitoren. Sfida përballë Kazakistanit përfundoi në barazim pa gola.

Paraqitje e dobët, pa forcë dhe pa ide, pa mundur që të dominonte një kundërshtar dukshëm inferior në cilësi. Me një lojë të vakët, ku vetëm disa episode për shënim, nuk mund të mjaftonin që kuqezinjtë të ktheheshin te suksesi, pas humbjes zhgënjyese në shtëpi me Lituaninë.

Me një performancë të tillë, nuk mund të akuzohet as mungesa e fatit. Ashtu siç ndodhi në pjesën e parë, kur Kazakistani mund t’i kishte dhuruar Shqipërisë avantazhin, pas zhvillimeve të një goditje këndi.

Mungesë fati nuk mund të quhen as rastet e pastra të shpërdoruara nga Armando Broja, parabola e lehtë e të cilit u largua nga mbrojta kazake përpara se të arrinte në vijën e portës. Një rast ideal kishte edhe Taulant Seferi, në fundin e lojës. Sulmuesi i Young Boys, u shfaq i vetëm me portierin, por gaboi në mënyrë të pabesueshme, duke mos i shfrytëzuar maksimalisht minutat e pakta që kishte në dispozicion.

Me barazimin në Kazakistan, Shqipëria tregon se jo vetëm që ka harruar si fitohet, por se ka probleme të dukshme në lojë dhe në organizim. Nëse fitorja do të mungojë edhe në ndeshjen e 14 tetorit në Lituani, atëherë do të konfirmohet kriza e Kombëtares.