385 mln euro për rimëkëmbjen ekonomike, Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin, kritika për Hotin

U deshën 7 tentativa që qeveria e Kosovës të miratonte pakon për rimëkëmbjen ekonomike. Me 64 vota pro, projektligji, i cili synon të luftojë dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia koronavirus, kaloi që në lexim të parë.

Megjithatë, përplasjet mes shumicës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, nuk munguan, edhe pse në sallë nuk ishte i pranishëm kryeministri, Avdullah Hoti.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës. Deputetët e këtyre forcave politike u larguan nga salla në momentin e votimit në shenjë proteste. Projektligji në fjalë, tashmë do t’u kalojë komisioneve parlamentare përkatëse për shqyrtim.

Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike kap vlerën e 385 milionë eurove, që do të shërbejnë kryesisht për rikuperimin e humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë koronavirus. Gjithashtu, projektligji parashikon lehtësira fiskale dhe monetare.