Ballsh, dita e 15 e grevës, protestuesit marshojnë në qytet dhe bllokojnë rrugën

Përveç grevës së urisë, e cila ka hyrë në ditën e saj të 15-të, naftëtarët e Ballshit kanë filluar protestat në rrugë. Në mbështetje të kolegëve të tyre të ngujuar dhe me qëllim tërheqjen e vëmendjes së autoriteteve shtetërore, ata kanë marshuar në qytetin e Ballshit duke bllokuar për disa minuta edhe rrugën kryesore. Ata i kanë bërë thirrje kryeministrit që t’i japë zgjidhje kërkesave të tyre jetësore.

Në ditën e 15-të të grevës së urisë të naftëtarëve të Ballshit, janë intensifikuar vetëm protestat e naftëtarëve të tjerë dhe e qytetarëve, ndërsa për kërkesat e tyre ekonomike ende nuk ka asnjë reagim.

Qindra punonjës të rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh të mbështetur edhe nga qytetarët, kanë marshuar nga ambientet e grevës deri në hyrje të qytetit të Ballshit ku kanë bllokuar edhe rrugën.

Ata i kanë bërë thirrje kryeministrit të vendit që të vijë dhe t’i japë zgjidhje problemeve të tyre jetësore. Në një kohë kur naftëtarët grevistë vazhdojnë të refuzojnë ujin dhe ndihmën mjekësore, pjesa tjetër e naftëtarëve deklarojnë se do të përshkallëzojnë më tepër protestën e tyre në rrugë deri në zgjidhjen e problemeve ekonomike.