Bindja niset drejt zgjedhjeve, Patozi: Ne do të zbatojmë listat 100% të hapura
Bindja Demokratike nisi rrugëtimin drejt 25 qershorit, me një takim të përfaqësuesve të saj nga i gjithë vendi, që u mbajt në Tiranë.
Për këdo dëshiron të bëhet pjesë e garës, Astrit Patozi kishte një kusht. “Kushdo që do të kandidojë nën siglën e Bindjes Demokratike ka vetëm një kusht të panegociueshëm, lista brenda nesh është e hapur. Në rast se dikush ka një votë më shumë se ai që është i pari i listës, i pari i listës dorëzon mandatin”.
Edi Ramën dhe Lulzim Bashën i quan alternativa të dështuara. Për këtë, Bindja ia mbyll derën çdo bashkëpunimi parazgjedhor me dy blloqet kryesore të politikës.
“Duhet të vendosim sot që nuk mund të kemi bashkëpunim paraelektoral me PS, në radhë të parë, por edhe me bllokun tjetër, PD, LSI.”
Atëherë, me kë e shikon të mundur bashkëpunimin Bindja Demokratike? “Aleatët tanë të mundshëm, janë parti, organizata dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe personalitete të jetës publike, të cilët e mendojnë Shqipërinë, të cilët kërkojnë ndryshimin dhe jo thjesht rotacionin, si dhe forca politike dhe individë të pakomprometuar”.
Brenda nëntorit, Bindja do të prezantojë edhe një program me tezat kryesore të fushatës.