Kim Jong-un në lot, i kërkon falje popullit për dështimet

Kim Jong-un mes lotësh, teksa i kërkon ndjesë popullit të tij. Skena e pazakontë u shënua gjatë festimeve për 75-vjetorin e Partisë Popullore në pushtet, ndërsa lideri autoritar bëri një apologji të rrallë për dështimin e tij në udhëheqjen e vendit gjatë krizës së koronavirusit.

Gjatë paradës madhështore të mbajtur në fundjavë, Kim u pa teksa fshinte lotët, çka sipas analistëve, sugjeron trysninë gjithnjë e në rritje ndaj regjimit të tij.

“Populli im më ka dhënë besim, deri në lartësinë e qiellit dhe thellësinë e detit, por unë jo gjithmonë kam arritur të përmbush të gjithë nevojat e tij. Më vjen shumë keq”, tha Kim Jong-un.

Ndërsa, parada në kryeqytetin Penian përfshinte ekspozimin e raketave të reja balistike ndërkontinentale dhe artilerive të tjera të rënda, analistët thonë se Kim e përdori një pjesë të madhe të fjalimit të tij për t’u solidarizuar me popullin koreano-verior që po vuan një krizë të thellë ekonomike.  

Gjatë mbylljes së kufijve si pasojë e pandemisë, tregtia e Koresë së Veriut me partnerin kryesor Kinën, ra drastikisht edhe pse Peniani thotë se nuk kanë regjistruar asnjë rast me Covid-19.

Sanksionet ndërkombëtare shumëvjeçare si kundërpërgjigje e programit bërthamor dhe dëmet e shkaktuara nga katastrofat natyrore e kanë vështirësuar tej mase situtatën ekonomike në vend.