Koduzi kundër maskës në ambiente të hapura: Nuk bën mrekulli, shton barrën e qytetarëve

Gazmend Koduzi, nga Departamenti i Shëndetësisë në PD, shprehu në studion e “Ditari” në A2 qëndrimin e tij kundër mbajtjes së maskës në ambiente publike. Sipas tij, menaxhimi i situatës varet nga qeveria me hetimin dhe gjurmimin dhe nga qytetarët me përgjegjësinë për mbajtjen e higjienës dhe jo nga mbajtja e maskës që do të sjellë edhe shtim të kostos në familjet shqiptare.

“Jam kundër vendimit për mbajtjen e maskës, sepse nuk është maska që bën mrekulli. Për menaxhimin e situatës nuk janë maskat, por qeveria me hetimin dhe gjurmimin si dhe qytetarët që ka të bëjë me higjienën dhe përgjegjësinë e tyre për të mos infektuar. Maska nuk ka treguar efikasitet, ka pjesën e vet të parandalimit të situatës. Po i shton barrën qytetarëve për blerjen e maskave”.

Gjobat e vendosura gjatë karantinës, për Koduzin ishin të paligjshme dhe prandaj u falën.

“Nuk kemi parë vendim zyrtar të qeverisë, vetëm një komunikim të Ramës, sikurse veproi në mars. Gjobat e marsit u falën, sepse u bënë me vendime të jashtëligjshme”.

Koduzi thekson se ajo që duhet të bëjë qeveria është të shtojë numrin e testimeve pasi Shqipëria është vendi i fundit në rajon për numrin e testimeve në një mijë banorë.

“Shqipëria është e fundit në rajon për numrin e testimeve që bën për 1 mijë banorë. Duhet të arrijmë 2500 testime në ditë, sepse testimi ka ngelur 18% duke përfshirë dhe ata që bëhen në privat për arsye administrative”.

Lehtësim për qytetarët shprehet Koduzi është ende zbatimi i planit me 5 pika të PD-së për përballimin e situatës, pasi qeveria sipas tij nuk ka marrë asnjë masë deri më tani. Edhe ministrja Manastirliu foli në kohën e ardhme.

“Ajo që është për të ardhur keq është që nuk kanë mësuar nga gabimet dhe të veprojnë, por fatkeqësisht ministrja foli në kohën e ardhme, që do të thotë se nuk ka marrë asnjë masë”.