Lakers, të pamëshirshëm ndaj Miami. Titulli kthehet në Los Angeles pas 10 vitesh

17 herë kampionë të basketbollit amerikan. Los Angeles Lakers janë rikthyer në fronin e NBA ndërsa kanë barazuar rekordin historik të titujve që mbahej nga Boston Celtics.

Lakers mundën Miami Heat edhe në ndeshjen e gjashtë në serinë e finaleve, duke i dhënë fund maratonës së ndeshjeve me rezultatin e përgjithshëm 4-2. Në aktin e fundit, skuadra nga Los Angeles triumfoi bindshëm në shifrat 106-93.

Takimi u dominua plotësisht nga Lakers, ndërsa titulli nisi të ndihej që në periodën e dytë, të cilën ekipi i udhëhequr nga dyshja LeBron James-Anthony Davies e mbylli me një diferencë të frikshme prej gati 30 pikësh.

28 pikë, 14 topa në tabelë dhe 10 asist nga LeBron James në këtë ndeshje dhe MVP i Finaleve për herë të katërt në karrierë për basketbollistin që ka fituar 4 unaza kampioni me 3 ekipe të ndryshme (Miami Heat, Cleveland Cavaliers dhe Los Angeles Lakers).

Lakers kthehen te titulli në NBA pas një thatësire prej një dekade, ndërsa suksesi i këtij sezoni i dedikohet legjendës së këtij klubi, i cili u nda nga jeta në fillim të këtij viti, Kobe Bryant.