Maskat e detyrueshme, Tomini: Shkak sezoni i virozave dhe rritja e rasteve në Europë

Eugena Tomini, shefja e Epidemiologjisë dhe Survejancës në Institutin e Shëndetit Publik, foli në A2 mbi situatën e pandemisë. Teksa shpjegoi vendimin për bërjen të detyrueshme të maskës edhe në ambientet e hapura, Tomini u shpreh se situata në Europë dhe në rajon, si dhe ardhja e vjeshtës, kanë bërë ekspertët që të marrin këtë vendim.

“Ky vendim ka ardhur nga grupi i ekspertëve mbas disa diskutimesh mbi tendencën e rasteve pozitive, me një pikë tepër të lartë në Europë, krahasuar me muajt pararendës. Ndërkohë, kemi edhe një rritje të rasteve të shtrimeve në spital në Europë dhe në rajon. Duhet të theksohet se pavarësisht pozitivitetit, që deri diku është i qëndrueshëm në Shqipëri, ne jemi para sezonit vjeshtë-dimër, kur infeksionet e tjera respiratorë janë të parashikuara dhe për rrjedhojë ky qarkullim do ta vështirësojë më shumë situatën”, sqaroi Tomini.

Për specialisten, nuk është imponim të ruash shëndetin tënd apo të të afërmve. “Opinioni është individual. Në gjykimin e një specialisteje të sëmundjeve infektive e gjykoj që nuk është imponim të ruash shëndetin tënd, të të afërmve dhe të të tjerëve, është një obligim kundrejt një shëndeti më të mirë”.

Tomini u shpreh se për marrjen e vendimit ka pasur edhe zëra kundër nga ekspertët. “Ka dhe kundërshtime, qoftë edhe brenda strukturave. Ka rrahje mendimesh, ka ballafaqime të konkretizuara pro dhe kundër mbi maskat, por duke pasur eksperiencën e pa njohur të një pandemie të tillë. Disa masa ndërhyrëse deri në një vaksinë do të implementohen për të ulur përhapjen e virusit”.

Tomini thekson se pas 2 apo 3 javëve do të shihet edhe ndikimi që do të ketë vendosja e maskës në publik.