Mjeku Fabian Cenko: Nëse bazohemi te të dhënat e deritanishme, nuk duhet të ketë masa shtrënguese

Në studion e “Dita Jonë”, mjeku epidemiolog Fabian Cenko, nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, deklaroi se situata e deritanishme nga koronavirusi në Shqipëri nuk dikton shtrëngim masash në Shqipëri. Sipas tij shifrat që vijnë nga Italia dhe Evropa përligjin masat që merren në Shqipëri. Duke krahasuar situatën me vendin fqinj, Cenko thekson se në Shqipëri nuk mund të flasim për një valë të dytë, por është një ecuri në rritje që vazhdon prej qershorit, ndërkohë që pohon se numrat janë më të larta se deklarimet.

“Në Shqipëri kemi një ecuri që vazhdon që prej qershorit dhe vazhdon të rritet. Masat duhet të bazohen në të dhëna. Në Itali, që para dy javësh, ka filluar një valë e dytë. Shifrat që vijnë nga Itali dhe Evropa përligjin masat që merren në Shqipëri. Nëse ne kemi 130 prej dy muajsh për çfarë arsye duhet të flasim për një përshkallëzim masash. Nuk ka arsye për të pasur shtrëngim masash. Unë besoj që të dhënat e padukshme kanë një rritje. Si mund të ketë 130 raste në gusht dhe po kaq në tetor”, tha Cenko.

Mjeku epidemiolog thekson se mundësia për t’u infektuar nga koronavirusi është e madhe, por sëmundshmëria dhe vdekshmëria varet nga sistemi shëndetësor. Sipas tij, deri më tani është bërë më pak se minimumi i mundshëm

“Mundësia për t’u infektuar është realitet i vështirë për t’u përjashtuar, sëmundshëmria varet nga popullata dhe sistemi shëndetësor nga ajo që lidhet me vdekshmërinë. Është bërë më pak se minimumi i mundshëm.

Ajo që mund të bëhet më mirë lidhet me vendimmarrjen politike që sistemi shëndetësor mund të bëjë.”