Një vit pa punë, Tur Operatorët në vështirësi, kërkojnë mbështetje
Turizmi është sektori i goditur më rëndë nga pandemia dhe kjo industri sot po përballet me pasojat.
Teksa një pjesë e industrisë, si hotelet, baret dhe restorantet mundën të kompensojnë një pjesë të humbjeve nga turistët vendas dhe prurjet nga shqiptarët e rajonit; pjesa tjetër ka qenë e ndalur tërësisht prej thuajse një vit dhe sot rrezikon mbijetesën.
Përmes një letre drejtuar qeverisë, Shoqata e Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike kërkon mbështetje me grante, subvencione dhe skema për ripunësimin për të siguruar vijimësinë e aktivitetit, një skemë e ndjekur nga shumë vende fqinje.
Në Maqedoninë e Veriut, ku turizmi zë një peshë edhe më të vogël në ekonomi se sa në vendin tonë, qeveria shpërndau gjatë verës mbi 25 mijë bonuse për punonjësit me të ardhura të ulëta për të bërë pushime në vend. Ndërsa në paketën e katërt ekonomike të miratuar në fund të shtatorit me një vlerë prej 470 milionë eurosh, u vendos ndër të tjera një pagesë mujore prej 350 eurosh për guidat turistike të regjistruara, grante nga 3 mijë deri në 7 mijë euro për agjencitë e udhëtimit dhe u kthyen 2 milionë euro taksa turistike të paguara.