Normaliteti pas pandemisë, turma të mëdha njerëzish vizitojnë Murin e Madh të Kinës

Askush nuk do ta mendonte se vetëm disa muaj pas shpërthimit të pandemisë, Muri i Madh i Kinës do të vizitohej nga turma masive njerëzish, ngjeshur me njëri-tjetrin.

Në fotografitë e postuara në rrjete sociale, vihet re se shumë njerëz mbajnë maska, por mes tyre kishte dhe shumë të tjerë, përfshirë fëmijë të vegjël, që i tërhiqnin maskat deri në mjekër ndërsa disa nuk kishin menduar fare për to.

Kjo ndodhi gjatë Javës së Artë, një festë 8-ditore që nis më 1 tetor dhe shënon festivalin e mesit të vjeshtës dhe ditën kombëtare të Kinës. Këtë vit kjo festë ishte njëherësh edhe një provë e madhe për vendin ndërsa del nga pandemia e koronavirusit.

Pavarsisht situatës, Muri i Madh ishte përgatitur për fluksin e turistëve, ndërsa seksioni më i popullarizuar i murit, Badaling u rihap në fund të marsit me kufizime të reja. Megjithatë, asnjë nga këto kufizime nuk dukej se ndiqej nga afër.

Në kushte normale, më shumë se 10 milionë njerëz vizitojnë Murin e Madh çdo vit. Seksioni Badaling, është aq popullor me turistë vendas dhe të huaj sa që zyrtarët krijuan një kuotë caktuar për numrin e lejuar. Por megjithatë, përpara festimeve të Javës së Artë, autoritetet e rritën kufirin në 48,750 vizitorë.

Më 3 tetor, biletat për sektorin Badaling u shitën tërësisht në mëngjes herët, sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve Xinhua.

Vetëm në katër ditët e para të pushimeve, 425 milion udhëtime të brendshme turistike u bënë në Kinë, duke gjeneruar më shumë se 45 miliard dollarë të ardhura nga turizmi, sipas të dhënave nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Udhëtimet gjatë kësaj jave por dhe shkelja e rregullave të distancës sociale janë në kontrast të plotë me ankthin që ky vend kaloi në fundin e vitit të shkuar, ndërsa koronavirusi përfshiu Wuhanin.