OBSH kundër teorisë së imunitetit të tufës: Ende shumë të panjohura nga koronavirusi

OBSH 2 1100x620

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Ghebreyesus reagoi kundër thirrjeve të shumë mbështetësve të teorisë së imunitetit të tufës që kërkojnë aplikimin e saj për pandeminë e koronavirusit.

Gjatë një konference për shtyp, Ghebreyesus i konsideroi këto thirrje si “shkencërisht problematike”. Ai shtoi se ka ende shumë të panjohura në lidhje me koronavirusin dhe se ende nuk është e qartë se sa mund të qëndrojë imuniteti te personat që e kanë kaluar atë.

“Të lejosh koronavirusin të qarkullojë në mënyrë të pakontrolluar nënkupton shumë të infektuar, vuajtje dhe vdekje”, tha Ghebreyesus.

Me imunitet të tufës nënkuptojmë kur një pjesë e konsiderueshme e komunitetit bëhet imun ndaj sëmundjes, duke thyer në këtë mënyrë transmetimin dhe mbrojtur personat e tjerë që nuk e kanë fituar ende atë.

Ai mund të arrihet me anë të vaksinave ose kur një numër i mjaftueshëm personash janë shëruar nga sëmundja dhe kanë krijuar rezistencë nga një infektim në të ardhmen.