PD denoncon tenderin e rrugës Korçë-Ersekë: Fituesi mik i Ramës, 4 km rrugë kushtojnë 20 mln euro

koduzi 1100x620

Partia Demokratike ka denoncuar tenderin e rrugës Korçë – Ersekë, sipas së cilës fituesi është mik i kryeministrit dhe ishte i paracaktuar, sikurse ajo paralajmëroi 10 ditë më parë. Në një deklaratë për mediat, Ervin Minarolli theksoi se ky tender ishte paracaktuar me 5-fishin e çmimit.

“Tenderi ishte fiktiv. 4 kilometra rrugë do të kushtojnë 20 milionë euro, në vend që të kushtonin 4 milionë euro. Është një vjedhje e pastër, si në çdo rrugë që ka tenderuar kjo qeveri. Nuk ka në Shqipëri qoftë edhe 1 kilometër rrugë, ku këta të mos kenë vjedhur miliona euro.

Minarolli thekson se kjo praktikë korruptive është kthyer në një normë të qeverisë, por pasojat i paguajnë qytetarët.

“Kjo është një praktikë korruptive, e kthyer në normë nga kjo qeveri. Tenderi paracaktohet dhe kompanitë e tjera garojnë në mënyrë fiktive. Me Edi Ramën kryeministër gara për tendera nuk ekziston. Gjithçka është e paracaktuar përmes korrupsionit.

Kusuret e kësaj afere do t’i paguajnë, të parët, banorët e zonës, të cilët duhet të presin të largohet Edi Rama që kjo rrugë të përfundojë. Pas tyre, të gjithë shqiptarët që po vidhen çdo ditë nga kjo qeveri plaçkitësish”.

Partia Demokratike thekson se çdo kompani që bashkëpunon me qeverinë në vjedhjen e qytetarëve gjatë këtyre muajve të fundit të qeverisë, do të mbajë njësoj përgjegjësi si kryeministri Edi Rama.