Rama, bisedë 60 minuta me Merkel: Një mike që ndjek me vëmendje rajonin tonë

rama berzh frame 0 1100x620

Kryeministri, Edi Rama, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama njofton se bisedoi me Merkel për planin e investimeve të BE në Ballkan, Shengenin rajonal dhe çeljen e negociatave.

Rama e vlerëson Merkel si një mike të shkëlqyer që gjithnjë e ka vëmendjen te rajoni i Ballkanit Perëndimor.

“Me kancelaren Merkel, biseduam pak më parë për rreth 60 minuta mbi Planin e Madh të Investimeve të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal; progresin e Shqipërisë pas vendimit për çeljen e negociatave dhe përpjekjet në vijim drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE, si edhe kryesimin e suksesshëm të OSBE nga Shqipëria dhe sfidat deri në përmbylljen e mandatit tonë, në dhjetor.

Edhe njëherë, si gjithnjë, kënaqësi e veçantë biseda me Kancelaren gjermane, një mike e shkëlqyer që e njeh, e kupton dhe e ndjek rajonin tonë e Shqipërinë gjithashtu, me detaje e vëmendje krejt të posaçme”, shkruan Rama.