Rama: Nuk e kam dëgjuar planin me 5 pika të PD-së, Basha ia përsërit: Dëgjon vetëm oligarkët

12 TETOR 2020 BASHA frame 18876 1100x620

Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka reaguar pas përgjigjes së kryeministrit Rama kur u pyet nga gazetarët në lidhje me zbatimin e planit me 5 pika të PD-së për përballimin e krizës. Kreu i qeverisë tha se nuk e kishte dëgjuar këtë plan, por Basha duke ripërsëritur edhe njëherë planin e demokratëve tha se Rama nuk dëgjon zërin e qytetarëve, por të oligarkëve që u jep para dhe nuk kthen përgjigje për përgjegjësinë politike të vendimeve të tij.

“Unë zgjedh ta besoj që ai nuk e ka dëgjuar këtë plan se ka vite që Rama nuk dëgjon njerëzit, prindërit që kanë humbur vendin e punës dhe nuk i ka mbetur asnjë alternativë, nuk dëgjon biznesin, sipërmarrjen që lufton për mbijetesë dhe po i dorëzohet falimentimit dhe nuk dëgjon mjekët që po përballen me një situatë shëndetësore si asnjë vend në Ballkan.

Nuk dëgjon mësuesit që ditë për ditë marrin qindra mesazhe për gjendjen katastrofike në shkolla. Nuk dëgjon shqiptarët që po mbushin autobusët në terminale ndërkombëtare.

Nuk dëgjon as planin tonë, as rrugëdaljen për t’u përballuar me këtë krizë. E besoj që nuk e ka dëgjuar planin, por unë nuk do të lodhem ta përsëris dhe njëherë planin me 5 pika. Ajo që ka rëndësi nuk janë batutat e lodhura dhe grindjet politike.  

Rama nuk dëgjon as planet tona, as zërin e  qytetarëve, por dëgjon ata që u jep paratë për inceneratorët dhe nuk kthen asnjë përgjigje për përgjegjësinë e tij politike për vendimet kriminale”.