Bangladeshi lejon dënimin me vdekje për përdhunuesit

1 80 600x338

Bangladeshi do të lejojë dënimin me vdekje për përdhunuesit. Vendimi erdhi pas disa javësh protestash mbi dhunën seksuale në vend.

Qeveria miratoi një amendament që ndryshon dënimin maksimal për përdhunuesit, nga burgim i përjetshëm në vdekje, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Bangladesh Sangbad Sangstha (BSS).

Dispozita e re do të hyjë në fuqi pasi të nënshkruhet nga Presidenti i Bangladeshit, Abdul Hamid, hap që konsiderohet thjesht një formalitet.

“Me siguri (ligji) do të jetë parandalues ​​i krimeve të tilla famëkeqe ndërsa njëkohësisht ne do të bëjmë përpjekje për të shpejtuar procesin e gjykimit të çështjeve të përdhunimit në gjykatat përkatëse,” tha ministri i Drejtësisë, Anisul Huq.

Megjithatë, dënimi i ri nuk ka gjasa të zbatohet gjerësisht sipas Human Rights Watch, pasi Bangladeshi ka një normë jashtëzakonisht të ulët dënimi për përdhunim, dhe viktimat përballen me vështirësi të panumërta në raportimin e krimeve seksuale dhe ndjekjen e çështjeve ligjore kundër sulmuesve të dyshuar.

Qeveria e Bangladeshit është përballur prej javësh me thirrje për të bërë më shumë për parandalimin e dhunës seksuale. Zemërimi popullor erdhi pas një videoje virale të një grupi burrash që sulmojnë seksualisht një grua në jug të vendit. “

Të paktën 975 gra dhe vajza u përdhunuan në nëntë muajt e parë të vitit 2020 në Bangladesh, sipas Ain o Salish Kendra, një organizatë për të drejtat e njeriut me seli në kryeqytetin, Dhaka.