Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

De Biasi rikthehet në "shtëpi": Jepini besim Reja-s, do të kthehesha në Shqipëri

Nga A2 CNN
13 Tetor 2020, 15:52 | Futboll
De Biasi rikthehet në "shtëpi": Jepini besim Reja-s, do

Gianni De Biasi nuk i fsheh emocionet e kthimit në Shqipëri, tashmë që është trajner i Azerbajxhanit. Heroi i Kombëtares në arritjen historike të pjesëmarrjes në Europianin e vitit 2016, kërkoi më tepër mbështetje dhe besim te trajneri Edi Reja në procesin e rinovimit të skuadrës, ndërsa flet edhe për mundësinë që të jetë sërish në krye të stolit kuqezi.

Intervista e plotë

Erald Kodhelaj: Riktheheni në Shqipëri pas 3 vjetësh nën drejtimin e një skuadre tjetër përfaqësuese...

Gianni De Biasi: Është një ndjesi e veçantë edhe për mua, sidoqoftë kur m’u dha mundësia për tu kthyer, erdha me dëshirë. Duhej të luanim me patjetër larg Azerbajxhanit, hipotezat ishin që të luanim në Slloveni apo diku gjetkë, por u thashë nëse është mundësia të luaj në Shqipëri do ta bëja me gjithë qejf. Federata e pranoi kërkesën tonë dhe kjo ishte diçka shumë e bukur, sepse kthehem në shtëpi.

Erald Kodhelaj: Si e shihni kombëtaren shqiptare, e cila pas largimit tuaj e ka humbur disi shkëlqimin?

Gianni De Biasi: Me siguri, ekipi është në duar të mira, në duar eksperte, sepse Edy është padyshim një trajner i shkëlqyer. Në këtë periudhë po afron futbollistë të rinj, për të programuar rinovimin e një skuadre që ka nevojë të riformatohet. Fati i madh është që ka lojtarë të rinj të talentuar, siç është Kumbulla që u transferua te Roma, Gjimshiti që u konfirmua dhe është bërë një lojtar i rëndësishëm, i cili luan në Champions League. Është një skuadër që mund të arrijë rezultate të mira dhe mund ta fitojë këtë grup të Ligës së Kombeve dhe i uroj sa më tepër rezultate të mira.

Erald Kodhelaj: Shqipëria e ka humbur pak shkëlqimin në këto ndeshje, duke mos bindur në lojë. A keni një këshillë për Reja-n?

Gianni De Biasi: Besoj se Edy nuk ka nevojë për këshilla, por ekipi ka nevojë për pak kohë për të gjetur ekuilibrat. Shqipëria mund të kishte fituar nën deshjen me Kazakistanin, por për fat të keq nuk arriti të shënonte edhe pse krijoi disa raste. Kombëtarja e vendosi në vështirësi kundërshtarin, por nuk duhet harruar se edhe rivalët kërkojnë të fitojnë. Në atë ndeshje nuk u arrit rezultati i dëshiruar, por e rëndësishme është që në fund Shqipëria ta fitojë grupin.

Erald Kodhelaj: Në vitin 2011 keni qenë në të njëjtën situatë, duke kërkuar futbollistë të rinj. Sa i vështirë është ky proces.

Gianni De Biasi: Nuk jam në kokën e Rejas dhe nuk e di se cilat janë projektet e tij. Nuk flasim prej pak kohësh, sepse edhe unë kam patur problemet e mia me Kombëtaren dhe që duhet t’i zgjidh. Megjithatë, mendoj se ai e ka shumë të qartë situatën dhe zgjedhjet që duhet të bëjë. Disa lojtarë të cilët kanë luajtur edhe në periudhën time mund ti shërbejnë dhe trajneri i njeh. Ai i njeh, por zgjedhjet i bën trajneri dhe mendoj se di të vendosë më të mirën me eksperiencën, aftësitë dhe njohuritë që ka për situatën aktuale në skuadër.

Erald Kodhelaj: Në Azerbajxhan keni të njëjtën situatë, po ashtu si në kohën kur erdhët te Shqipëria, pasi skuadra ka nevojë për lojtarë të rinj.

Gianni De Biasi: Situata është tërësisht ndryshe. Me Shqipërinë kishim fatin që të afronim futbollistët nga Kosova të cilët nuk kishin luajtur në asnjë skuadër tjetër dhe u miratuan nga FIFA. Natyrisht që kjo na ndihmoi. Fati i madh i Shqipërisë është se ka shumë lojtarë, që luajnë në Itali dhe kanë shumë eksperiencë. Të gjithë futbollistët e mi luajnë në Azerbajxhan, në një kampionat të vogël me tetë skuadra. Stadiumet dhe gjithçka është mjaft e bukur, por nuk kanë eksperiencë. Në kampionat ka shumë lojtarë të huaj, nga të cilët nuk mund të shfrytëzojmë absolutisht asnjërin, ky është problemi më i madh. Vetëm dy lojtarë azerë luajnë në Europë, njëri në ligën e dytë gjermane dhe tjetri në ligën e dytë spanjolle, por janë në moshë të madhe. Unë doja të afroja disa më të rinj, megjithatë do të përpiqemi të bëjmë diçka me futbollistët që kemi në dispozicion. Përfaqësuesja e 21-vjeçarëve ka të rinj interesantë, presim me besim dhe kurajë.

Erald Kodhelaj: Si është situata në Azerbajxhan prej luftës?

Gianni De Biasi: Me siguri situata nuk është nga më të mirat. Në këto momente, konflikti 30-vjeçar është kthyer të jetë aktiv. Azerbajxhani ka nisur ofensivën, pasi kërkon të rimarrë krahinën e Nagorni-Karabak, e cila i është dhënë nga Kombet e Bashkuara. Situata nuk është aspak e mirë, sepse kemi shtetrrethim nga ora 9 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit. Deri pak kohë më parë u izoluam prej koronavirusit, tani që rifituam pak lirinë nisi konflikti. Familja ime që jeton në Itali është disi e shqetësuar. Unë jetoj në Baku, ku gjithçka është e qetë, qyteti ka 3 milionë banorë dhe është shumë i bukur. Por, është e qartë që jetojmë në një shtet i cili është në luftë me një shtet tjetër.

Erald Kodhelaj: Shqipëria shpreson një tjetër kualifikim të madh si ai i vitit 2016. A duhet të presim që De Biasi të rikthehet sërish në stol?

Gianni De Biasi: Të gjithë do të kishim hedhur firmën, për të bërë diçka të ngjashme me atë që realizuam në vitin 2016. Besoj se çdo person do ta pranonte diçka të tillë, unë i pari. Por në këto momente, në krye të stolit është Edy, të cilit duhet t’i japim të gjithë besimin e duhur dhe mbështetjen që shërben për të arritur një objektiv. E kujtoj, që kur unë e mora drejtimin e ekipit, shumë njerëz ishin mosbesues dhe askush nuk ishte i bindur se mund të arrinim një objektiv aq i madh sa ai që realizuam. Madje, dikush edhe tallej me atë që thosha. Por, jam i bindur që nëse ke dëshirën, vendosmërinë dhe nuk i ndryshon objektivat as në momentet e vështira, në fund arrin larg.

A2 CNN Livestream

Dita jonë