Facebook ndalon postimet që mohojnë Holokaustin

holokaust 600x338

Facebook ka vendosur që të ndalojë mohimin e Holokaustit. Rrjeti social tha se rregullat e tij të reja ndalojnë “çdo material që mohon apo shtrembëron Holokaustin”.

Kreu i Facebook, Mark Zuckerberg, u shpreh se e ka pasur të vështirë të gjejë ekuilibrin e duhur mes lirisë së fjalës dhe ndalimit të postimeve të tilla, por mendon se ia ka arritur qëllimit.

Dy vite më parë, postime që mohonin Holokaustin lejoheshin dhe Zuckerberg e shpjegonte kështu këtë fakt: “Unë jam hebre dhe ka njerëz që e mohojnë Holokaustin. Më duket shumë ofenduese një gjë e tillë, por nuk besoj se platforma jonë duhet t’i fshijë materiale të tilla, pasi njerëzit gabojnë në disa tema, jo vetëm te kjo temë. Unë nuk mendoj se gabojnë me vetëdije”.

Por, dje Zuckerberg tha se ka ndërruar mendje: “Kam parë të dhënat dhe ato tregojnë një rritje të dhunës anti-semite dhe për këtë arsye kemi shtuar rregullat mbi lejimin apo jo të postimeve të caktuara”.