Heqja e akcizës për fermerët, PD: Mashtrim elektoral i Ramës. Mos e besoni!

teliti 1100x620

Pas deklaratës së kryeministrit Rama se do të heqë akcizën e naftës për fermerët, ka ardhur dhe reagimi i Partisë Demokratike. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, shefi i kabinetit të kreut demokrat, Dorian Teliti e konsideron tallje të kryeministrit me fermerët, pasi në 7 vjet qeverisje rriti vetëm taksat për ta.

“Kryeministri në ikje ishte një tallje me shqiptarët dhe veçanërisht me fermerët, shtresa më e goditur nga pandemia dhe më e braktisur nga keqqeverisja e tij 7-vjeçare.

Çfarë bëri Edi Rama për bujqësinë, në 7 vjet? Vetëm 1 gjë! Rriti taksat për karburantin. A mund t’i besohet dikujt që për 7 vjet vetëm rrit taksat dhe kur do vota thotë se do ta ulë çmimin?

Rritja e çmimit të naftës, duke vendosur taksën 240 lekë për litër për qarkullim, ishte ndër aktet e para të qeverisë së Ramës, prandaj sot ai është i pabesueshëm. Për taksën “Rama” të qarkullimit, fermerët kanë paguar këto 7 vjet më shumë se 100 milionë euro”.

Sipas Telitit, kryeministri kopjoi sot një pjesë të programit të PD-së për bujqësinë, ndërsa u bëri thirrje fermerëve që të mos e besojnë, pasi deklarata për heqjen e akcizës është mashtrimi elektoral i tij.

“Mos i besoni Edi Ramës! Është mashtrimi i radhës para zgjedhjeve. Ky është personi i parë përgjegjës pse sot prodhimet kalben në fushë, pse fermerët janë të varfër, pse të rinjtë ikin nga fshati. Një kryeministër që u zhvat fermerëve 100 milionë euro vetëm nga taksa e naftës, nuk ka për të punuar asnjëherë në interes të tyre për të ulur vërtet çmimin e naftës.

Deri në 25 prill, nga Edi Rama do të dëgjohen çudira, por vetëm një gjë ka rëndësi. Tani, të gjithë e dinë se deri në 25 prill vendi drejtohet nga kryeministër mashtrues”, përfundoi Teliti.