Homazhe për Ivanoviç, Beogradi kërkon drejtësi 1000 ditë pas vrasjes

SERBIA KUJTON IVANOVIC.duplicate frame 68 1100x620

1000 ditë pas vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, Beogradi kërkon drejtësi dhe përpjekje më të mëdha për zgjidhjen e krimit.

Me qirinj në duar, qindra qytetarë në kryeqytetin serb i bënë homazhe politikanit të vrarë në vitin 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Mes atyre që sfiduan të ftohtin për të ndezur qirinj në Kishën e Shën Markut, ishte Dragan Djilas, kreu i partisë opozitare të qendrës së majtë, për liri dhe drejtësi.

Sipas tij, Ivanoviç kishte qenë i gatshëm të luftonte për interesat e Serbisë, por njëkohësisht duke komunikuar me shqiptarët e Kosovës. 

“Është turp që autoritetet në Kosovë dhe Serbi e gjithashtu komuniteti ndërkombëtar nuk di asnjë gjë konkrete, 1 mijë ditë pas vrasjes së motivuar politikisht”, tha Dragan Djilas.

Pas një hetimi të gjatë, autoritetet në Kosovë kanë paditur 6 persona për përfshirje në vrasjen e Ivanoviçit, por Gjykata e Apelit urdhëroi rigjykim të tyre.

Dikur i konsideruar si një nacionalist fanatik, Ivanoviç kishte evoluar në një politikan të moderuar që mbronte bashkëjetesën midis pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare. Ai, gjithashtu, ishte bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikën e tij ndaj qeverisë së Beogradit. Në momentin qe u vra, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjeve të shqiptarëve të Kosovës, gjatë luftës, në vitin 1999.