Hoti pas takimit me Lajçak: Nuk ka Bashkësi të Komunave Serbe pa marrëveshje përfundimtare

hoti lajcak 1100x620

“Nuk do të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe pa u arritur marrëveshja finale me Serbinë”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit që zhvilloi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak.

“Jemi duke e diskutuar marrëveshjen finale, përfundimtare për njohje reciproke. Vlen parimi i dakorduar me partnerët tanë dhe me ndërmjetësit e dialogut se nuk dakordohemi për asgjë, derisa nuk dakordohemi për të gjitha. Asgjë nuk fillon të zbatohet derisa nuk përmbyllet marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Nuk kam ndërruar mendje, gjithmonë e kam pasur këtë qëndrim. Nuk është çështje që iu nënshtrohem presioneve, nuk jam këtu për kurrfarë presioni, jam këtu për të kryer detyrën si kryeministër në përputhje me Kushtetutën dhe interesin më të mirë të qytetarëve”, deklaroi Hoti.

Sa i takon vizitës së të dërguarit të posaçëm të BE-së, për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Hoti tha se është në kohën e duhur për të bërë një vlerësim të procesit të dialogut dhe planet për takimet e ardhshme në kuadër të tij.

“Kosova nuk është palë që e bllokon procesin e dialogut, Kosova për herë të parë ndoshta pas shumë kohësh është palë jo vetëm konstruktive, por protagoniste kryesore në këtë proces drejt marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke”, tha Hoti.

Ndërsa për vizitën e vartësit të tij Goran Rakiq që vjen nga Lista Serbe dhe “kërcënimet” se serbët do të largohen nga të gjitha institucionet nëse nuk themelohet asociacioni, kryeministri Hoti tha se qeveria që ai drejton nuk pranon kërcënime nga askush.

“Kjo nuk është qeveri që pranon kërcënime prej askujt, absolutisht prej askujt, nuk punoj nën kërcënime të askujt. Kemi disa marrëveshje të koalicionit me të gjithë partnerët, përfshirë Listën Serbe për aq kohë sa përmbahen kësaj marrëveshje dhe unë po kujdesem që të respektohen këto marrëveshje të punojmë bashkë”, tha Hoti