Kandidatja e Gjykatës Supreme e nominuar nga Trump, anashkalon pyetjet

E nominuara për Gjykatën e Lartë të SHBA, Amy Coney Barrett, ka shmangur pyetjet në lidhje me pikëpamjet e saj mbi çështjet kryesore në ditën e dytë të seancës së saj të konfirmimit të Senatit.

Gjykatësja konservatore refuzoi vazhdimisht të merrej me abortin, kujdesin shëndetësor dhe të drejtat e LGBTQ.

Ajo deklaroi se nuk kishte “asnjë agjendë” dhe u zotua t’i përmbahej “shtetit të së drejtës”.

“Unë jam 100% e përkushtuar ndaj pavarësisë gjyqësore nga presioni politik”, tha ajo.

Nëse gjyqtarja Barrett kalon seancën dëgjimore të komisionit, Senati i plotë do të votojë për ta konfirmuar ose refuzuar atë, për një vend të përjetshëm në Gjykatën e Lartë Amerikane.

Republikanët duan konfirmimin përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Kjo do t’i jepte Gjykatës me nëntë anëtarë një shumicë konservatore 6-3, duke ndryshuar ekuilibrin ideologjik të Gjykatës për dekadat e ardhshme.

Demokratët kanë frikë se emërimi i suksesshëm i gjykatëses Barrett do të favorizonte republikanët në çështje të ndjeshme politikisht që arrijnë në Gjykatën e Lartë.

Ajo është propozuar për të zëvendësuar Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq muajin e kaluar në moshën 87-vjeçare.

Të martën, kryetari i Komitetit të Drejtësisë të Senatit, Lindsay Graham, tha se ajo ishte “një nga zgjedhjet më të mira që Presidenti Trump mund të bënte për gjykatën”, ndërsa Senatori Chuck Grassley, tha se rekordi i saj tregoi se ajo do t’i afrohej secilës çështje në një mënyrë “të paanshme”.

Republikanët mbajnë një shumicë të pakët në Senatin e SHBA, organi që konfirmon gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, ku ka shumë gjasa që të kalojë emërimi i gjykatëses Barrett.

Demokratët e shohin atë si një kërcënim për reformat e kujdesit shëndetësor të miratuara nga ish-presidenti Barack Obama. Ata kanë kritikuar procesin e nxituar të nominimit si “të pamatur” dhe një “mashtrim”, mes një pandemie koronavirusi që ka regjistruar 215,000 viktima në SHBA. Ata, gjithashtu, kanë akuzuar republikanët për hipokrizi, pasi në mars 2016-s, kur Obama paraqiti një të nominuar për të plotësuar një vend në gjykatë, Republikanët e Senatit refuzuan të mbanin seanca, duke argumentuar se vendimi nuk duhej të merrej në një vit zgjedhjesh.