Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Komiteti i Ekspertëve për maskat: Vendim i nevojshëm, situata po përkeqësohet

Nga A2 CNN
13 Tetor 2020, 14:15 | Sociale

Pas kundërshtive nga specialistë të shëndetësisë për mbajtjen e maskës me detyrim edhe në ambiente të hapura, reagojnë përfaqësuesit e komitetit të ekspertëve. Gjeorgjina Kuli tregon për A2 CNN se vendimi erdhi për shkak të përkeqësimit të situatës dhe rritjes së shtrimeve në spital.

"Maska është një mjet i rëndësishëm dhe i realizueshëm nga të gjithë për të parandaluar përhapjen e virusit. Shifrat e ditëve të fundit janë shumë shqetësuese, pasi kemi shtim të përhapjes dhe rritje të shtrimeve në spital. Ajo që shqetëson sistemin shëndetësor është rritja e shtrimeve dhe pacientëve që kurohen në terapi intensive", deklaroi mjekja, përfaqësuesja e Komitetit Teknik.

Shefja e shërbimit infektiv të pediatrisë në QSUT  thotë se deri tani nuk ka studime për dëmtimin që mund të sjellë në shëndet mbajtja e maskës.

Gjeorgjina Kuli

"Unë nuk di dhe as na është referuar ndonjë rast ku një person është dëmtuar nga përdorimi i maskës. Sigurisht ajo ka afatet kohore të përdorimit, për shembull një maskë kirurgjikale nuk mund ta mbani me ditë të tëra pa e ndërruar. Por maskat e copës janë shumë të mira. Në fund të ditës lahen dhe hekurosen, duke kryer dezinfektim total", shton Kuli.

Sipas saj, maskat duhet të mbahen nga të gjithë, madje edhe fëmijët mbi moshën 6-vjeç. Edhe pse mund të kenë forma asimptomatike të sëmundjes, transmetueshmëria e koronavirusit nuk është zero.

"Edhe fëmijët mund të transmetojnë virusin në pjesëtarë të ndryshëm, në faza të ndryshme. Mbi moshën 5-6 vjeç maskat mund të mbahen, ndërsa nën këtë moshë nuk rekomandohet pasi sjellin probleme psikologjike", shton Kuli.

Me fillimin e vitit shkollor është vënë re rritje e infektimeve edhe tek të vegjlit. Rreth 450 fëmijë janë prekur gjatë pandemisë nga koronavirusi.  Shefja e infektivit thotë se nuk kanë munguar rastet e rënda te 30 fëmijët e shtruar, por për fat deri tani nuk ka pasur asnjë humbje jete.

Mjekët parashikojnë përkeqësim të situatës në dimër, për shkak të mbivendosjes së viruseve, ndaj sipas tij është i nevojshëm përshkallëzimi i masave mbrojtëse.

A2 CNN Livestream

Dita jonë