Krasniqi: Antikorrupsioni nis nga hetimi i vilave dhe pasurisë së politikanëve

Në të gjitha raportet pas viteve ‘90 lufta ndaj korrupsionit mbetet kërkesë kryesore nga të gjithë ndërkombëtarët, por ndërkohë, ekziston edhe një qasje tjetër ndaj korrupsionit, që e cilëson atë si “lubrifikantin e motorit” të shtetit.

Për të dhënë një koment mbi korrupsionin në vendin tonë dhe për tryezën e mbajtur në Tiranë mbi këtë çështje, foli në A2 analisti Afrim Krasniqi.

“Progresi i Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit është krejtësisht minimal”

“Pavarësisht se u kërkua peshku i madh, pavarësisht se u kërkua të kontrollohen orët e shtrenjta të politikanëve dhe të gjyqtarëve e prokurorëve, sot, pas 4 vitesh, nuk kemi asnjë zyrtar të lartë përpara drejtësisë për korrupsion, pavarësisht se kemi zyrtarë të lartë në listën e zezë amerikane. Mesazhi i sotëm i ambasadores amerikane vjen si një thirrje e dëshpëruar që Shqipëria të ndryshojë. Përgjigjja që mori sot nga politika është tipike e asaj që ofron sot Shqipëria, imunitet dhe amnisti. Të ecësh pas 6 vitesh me sloganin: “fajin e ka sistemi dhe nuk e kanë individët”, dhe të marrësh si pikë reference skandalin e asaj që ndodh në Vlorë, ku brenda pak vitesh janë ndryshuar shumë drejtorë. Për çfarë? Për konfliktin mes një personi që ka përkrahjen e plotë shtetërore dhe të niveleve të larta të ekzekutivit dhe të një individi tjetër, i cili kërcënon çdo drejtor tjetër aty. Dy palët që kërcënojnë dhe në vend që të vendosë drejtësia dhe që qeveria të jetë denoncuese e dhunës nga secila palë, arrin deri atje sa pranohet si standard dhe thuhet se edhe Gjermanët në këto situata do të tërhiqeshin. Shqipëria duhet të mësonte nga skandali i Vlorës për të kuptuar se e gjithë retorika antikorrupsion ka qenë një dështim. Progresi i Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit është krejtësisht minimal”.

“Asnjë i shkarkuar nga Vetting-u nuk është denoncuar nga zyrtarët e lartë”

“Ne nuk kemi asnjë rast të vetëm kur zyrtarët e lartë kanë denoncuar në prokurori subjekte të Vetting-ut të shkarkuar për korrupsion. Kemi qytetarë dhe grupe civile që e kanë bërë këtë gjë. Nëse do të kishte fakte dhe raste konkrete dhe vërtetë synim për të luftuar korrupsionin të ish-zyrtarëve të lartë të drejtësisë, atëherë kjo mund të bëhej fare lehtë, me një denoncim dhe hapjen e një çështje penale. Problemi kryesor është keqqeverisja në të gjitha nivelet dhe niveli i lartë i korrupsionit, kjo do të thotë të largosh përgjegjësinë dhe ta largosh te drejtësia, do të thotë ta largosh në anonimitet sepse drejtësia sot nuk ka një zë, nuk ka një organ përfaqësues. Nëse ne nuk do të kishim ambasadoren amerikane dhe ata të BE-së që ushtrojnë presion të organet e drejtësisë, ne praktikisht nuk do të kishim asnjë mekanizëm pozitiv presioni ndaj këtyre organeve”.

“Antikorrupsioni nis nga hetimi i vilave dhe pasurisë së politikanëve”

“Reforma në drejtësi është gati-gati një bast politik ndërkombëtar. Po të shikoni, ndërkombëtarët e konsiderojnë si fëmijën e tyre dhe me çdo kusht mundohen ta çojnë përpara për të pasur sukses. Për qytetarët e thjeshtë, suksesi nuk matet duke larguar disa e duke afruar disa të tjerë, për të cilët nuk kemi garancinë nëse janë më të mirë se sa ata që janë larguar, por maten me ditën e parë kur drejtësia e re do të refuzojë të jetë pjesë e delegacioneve politike dhe do të jetë përballë politikanëve për t’i kërkuar llogari. Ne duhet t’i japim këtyre institucioneve besimin publik, por edhe këto institucione duhet të punojnë për ta merituar besimin publik. Nëse ne krijojmë Byronë Kombëtare të Hetimit, me numrin e madh të konkurrentëve për hetues, atëherë do të kemi një mundësi dhe një bazë reale për të filluar hetimet. Derisa ne shkojmë sot në një gjyqtar apo prokuror në periferi të Shqipërisë dhe i kërkojmë burimin e pasurisë për 30 vjet. Pse nuk shkojmë te vilat e politikanëve dhe t’u kërkojmë kush është burimi i pasurisë së tyre, i blerjes së tyre, i vilave të tyre dhe i jetës luksoze që ata bëjnë? Ditën e parë që të ndodhë kjo gjë, ajo do të jetë dita e parë e ndryshimit të sistemit në Shqipëri, e ndryshimit real dhe dita kur Shqipëria do të tregojë se ka kapacitete për të shkuar drejt BE-së. Nëse kjo nuk ndodh, gjithçka tjetër është e mbyllur. Vetë fakti që kryeministri tha sot se nuk janë politikanët pjesa më e korruptuar e Shqipërisë, është një ftesë e të njëjtëve për të bërë koalicion kundër drejtësisë. Ky është një lajm i keq për Shqipërinë”.