Kuvendi hap thirrjen për zëvendësimin e dy vendeve në KLGJ e KLP

Morisë së vakancave të shpallura në gjykatat e të gjitha shkallëve në vend i shtohen edhe katër vakanca në organet e reja të sistemit të drejtësisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Përmes këtij vendimi Kuvendi i Republikës ka shpallur nga dy vende të lira në secilin nga institucionet për pozicionet që i takojnë anëtarëve nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të Drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës.

Kandidatët do të synojnë vendet e Gent Ibrahimit dhe Sandër Becit në KLP dhe Maksim Qokut e Erion Muharremajt në KLGJ, të cilët janë zgjedhur nga Kuvendi në shkurt të vitit 2018 dhe kanë mandat 3 vjeçar.

Por, llogaritja kohore e Kuvendit për përfundimin e mandatit të anëtarëve aktualë nuk është e njëjtë me atë të KLP, ç’ka mund të çojë në ngërç të procesit, do të sjellë një përplasje mes institucioneve.

Kuvendi konsideron fundin e mandatit 3-vjeçar të katër anëtarëve aktualë shkurtin e vitit 2021. Ndërsa KLP, në një mbledhje të zhvilluar të martën vendosi llogaritjen e mandatit të anëtarëve, duke vlerësuar se, referuar ditës së nisjes së funksionit të Këshillit në dhjetor 2018, mandati 3-vjeçar i pesë prej anëtarëve përfundon në dhjetor 2021.

Burime zyrtare bënë me dije se Këshilli i Lartë Gjyqësor pritet të mblidhet të mërkurën për llogaritjen e kohëzgjatjes së mandatit të anëtarëve.