Liga e Kombeve, derbi Gjermani-Zvicër, “Panzerave” iu ndalohet të gabojnë

LIGA E KOMBEVE SOT frame 584 1100x620

Nisin sot duelet e fundit, për muajin tetor, në Ligën e Kombeve. Në Këln do të zbresin në fushë dy shtetet fqinje, Gjermania dhe Zvicra.

Skuadra e Joakim Low, e cila ndaj Ukrainës arriti fitoren e parë në këtë turne që prej themelimit të tij, luan një sfidë vendimtare për vendin e parë në grupin e katërt të Ligës A, që mbahet nga Spanja me 7 pikë.

Gjermania renditet e dyta me 2 pikë më pak e më pas vjen Ukraina me 3 dhe Zvicra në vendin e fundit me vetëm 1 pikë. Panzerat luajnë vetëm për fitore në të kundërt, me një fitore të Spanjës përballë Ukrainës, Gjermania do të ishte shumë pranë eliminimit për të dytin vit me radhë nga grupi.

Nga ana tjetër për përfaqësuesen helvete e cila ka një bilanc të dobët rezultatesh në transfertë, të paktën në 6 ndeshjet e fundit, dueli i sotëm do të jetë treni i fundit për të shpresuar te një mrekulli për kualifikimin.

Te Zvicra është rikthyer edhe Xherdan Shaqiri pasi la pas infektimin me koronavirus te Liverpool.

Sfida tjetër është ajo mes kryesuesve të Spanjës dhe Ukrainës së Andrij Shevcenkos. Kombëtarja iberike vjen nga fitorja kundër Zvicrës dhe të njëjtën gjë do të synojë dhe sot për të qenë edhe më pranë kalimit në gjysmëfinale.