Meta, apel juristëve: Edhe 1 ditë të vetme në Gjykatën Kushtetuese është vlerë

meta 1100x620

Kur ka mbetur edhe një ditë nga afati i fundit për aplikimin për plotësimin e vendit vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të përfundimit para kohe të mandatit të një prej ish-gjyqtarëve, që në 7 shkurt të vitit 2018, presidenti Ilir Meta ka bërë edhe një herë thirrje për të aplikuar.

“Për juristët me integritet, edhe sikur 1 ditë të vetme të jenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese është vlerë e shtuar në karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë”.

Sipas kreut të shtetit, ripërtëritja dhe funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese është jetik për Shqipërinë dhe kusht kryesor për çeljen e negociatave.

“Ripërtëritja dhe bërja plotësisht funksionale e Gjykatës Kushtetuese, por dhe e Gjykatës së Lartë janë kushte kryesore të çeljes së negociatave dhe plotësimi i këtyre kushteve kërkon jo vetëm angazhimin e të gjitha institucioneve të përfshira, por duhet të gjejë dhe mbështetjen e shoqërisë shqiptare, e cila brenda saj ka plot juristë me integritet që dëshirojnë të japin kontributin e tyre në këtë proces kaq të rëndësishëm”.

Meta përsëriti edhe një herë thirrjen për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që të përfundojë sa më parë shqyrtimin e kandidaturave për vendin vakant që ka në proces, dhe të angazhohet për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve dhe t’i propozojë presidentit listën e kandidatëve për plotësimin e kësaj vakance, sipas ligjit.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor që të punojë në mënyrë të pandërprerë në drejtim të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave për plotësimin e të gjitha vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, e cila jo vetëm që duhet të jetë plotësisht funksionale sa më shpejt për shqyrtimin e çështjeve të mbartura, por kjo Gjykatë është përgjegjëse për të emëruar dhe 3 anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese”.

Për kreun e shtetit, Gjykata Kushtetuese duhet të jetë plotësisht funksionale me të 9 anëtarët e saj, në mënyrë që gjatë shqyrtimit të çështjeve kjo trupë gjyqësore të mos hasë asnjë pengesë procedurale që bën të pamundur marrjen e vendimeve për themelin e pretendimeve kushtetutese të ngritura nga palët.