Pas Parisit dhe Berlinit, TUMO vjen në Tiranë, Rama: Gati të mirëpresë 1 mijë fëmijët e parë

rama tumo 1100x620

Pas Moskës, Parisit dhe Berlinit, Tirana bëhet kryeqyteti i katërt në botë që mirëpret kreativitetin teknologjik më të ri në botë “TUMO”. Në ceremoninë e hapjes së qendrës në Shqipëri, kryeministri Rama theksoi se kjo është një histori suksesi që shkon në favor të atyre që janë më të dobëtit në shoqërinë tonë në raport me mundësitë që infrastruktura e vendit iu ofron, që janë fëmijët.

“Ne po punojmë për të shkuar përtej kopshteve e çerdheve në lagje që janë domosdoshmëri në komunitete dhe për t’iu ofruar fëmijëve hapësira të reja dhe mundësi të reja në një kohë të re, ku përndryshe të gjithë ne prindërit dhe vëllezërit e motrat më të rritur bëhemi bashkëfajtorë që në mungesë të alternativave t’u japim Iphfone që e përdorin më shpejt se ne dhe bëjmë një gabim që mendoj se ka përmasat e fajit në raport me të nesërmen e tyre. Të mos cenojmë të nesërmen e tyre”, u shpreh Rama.

Duke e konsideruar si një bekim nga Zoti TUMO-n, kryeministri Rama tha se kjo nuk do të ishte e mundur pa urën e miqësisë, siç e cilësoi ai me fondacionin shqiptaro-amerikan, por që nuk është e lehtë të bashkëpunosh me ta.

“Ka ardhur si bekim nga Zoti, TUMO që është një krijesë e jashtëzakonshme e mendjeve që në një vend të largët në Armeni kanë shkuar përtej shqetësimit dhe dilemave dhe kanë guxuar të krijojnë hapësirë që lidh fëmijët me teknologjinë dhe synon t’u japë instrumenta për t’u zhvilluar dhe kuptuar në mënyrë fizike teknologjinë dhe për ta bërë atë pjesë të procesit të tyre të të imagjinuarit dhe ndërvepruarit me botën. Ky bekim nga Zoti do të ishte i pamundur të bëhej realitet që është gati të mirëpresë 1 mijë fëmijët e parë, nëse nuk do të kishte një urë miqësie mes TUMO dhe Tiranës që është fondacioni shqiptaro-amerikan. Nuk është fondacion që ka lekë, unë e di ç’heq me Granoff, jo se s’kanë lekë, por kanë besim te mënyra e të menduarit dhe të kesh ide dhe të t’i japin me një dorë t’i kërkojnë me tjetrën.”