“Politikanët nuk janë më të korruptuarit”, Basha i përgjigjet Ramës: Këtë e thotë një hajdut që i trembet drejtësisë

13 TETOR BASHA frame 150994 1100x620

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, hodhi poshtë pretendimin e kryeministrit Rama se politikanët nuk janë më të korruptuarit në Shqipëri, por janë gjyqtarët dhe prokurorët.

“Këtë e thotë një hajdut që i trembet drejtësisë. Është e qartë që drejtësinë e korruptoi politika. Një politikan i korruptuar ka interes që gjyqtari të mos ta çojë në burg. Drejtësia u korruptua nga politika. Prisni peshkun e madh, këtë do të merrni… Sa kohë të jetë Edi Rama kryeministër, sa kohë të ketë qeveri të korruptuar, nuk do të ketë drejtësi në vend”, tha Basha, i pyetur nga gazetarja e A2, Elona Gjylmi.

“Drejtësi do të ketë vetëm atëherë kur ka një qeveri dhe kryeministër që nuk i bën presion drejtësisë. Do t’ju them atë që ua kam thënë ambasadorëve, drejtësia është e kapur nga Partia Socialiste, që reforma në drejtësi nuk rezultoi në atë që deshëm dhe votuam ne”.

Kreu i opozitës shtoi se me largimin e kësaj qeverie, askush nuk do të thotë që drejtësia është në duart e qeverisë që do të vijë. “Kësaj drejtësie do t’i vendosë vetëm një kërkesë. Të vendosë çdo politikan dhe çdo zyrtar të korruptuar para ligjit, mos t’i mbrojë, por t’i ndëshkojë. Duke nisur me qeverinë time të ardhshme e duke vazhduar me këdo që ka futur duart dhe ka zhvatur pasuritë e shqiptarëve këto vite. Është fare e qartë që drejtësinë e korruptoi politika dhe që reformën në drejtësi e mban peng një kryeministër që ka frikë drejtësinë. Pse e mban Dakon në kryesi? Ky është dëshmitari, i penduar, që nëse Edi Rama e lëshon, del e dëshmon vjedhjet, batërdisjet, shkeljet që ka bërë me urdhër të Edi Ramës”, u shpreh Basha.