Rama-ndërkombëtarëve: Nëse nuk zgjidhet problemi i shpifjes, fundi i botës, siç e njohim, do të jetë shumë më i afërt

rama nderkombetaret 1100x620

Kryeministri Edi Rama iu rikthye ligjit antishpifje në konferencën antikorrupsion, duke iu drejtuar ndërkombëtarëve se “nëse nuk zgjidhet problemi i shpifjes, fundi i botës, siç e njohim, do të jetë shumë më i afërt sesa mendojmë ne”.

“Nuk dua të bëj polemika, por po ju them se ju keni qenë shumë të ndjeshëm për ligjin e shpifjes. Madje, të gjithë ata që punojnë për këtë ligj më thonë që të mos e them më që është për shpifjen sepse mërziten shumë miqtë tanë ndërkombëtarë. A thua se shpifja është fjalë që duhet të kemi turp ta përdorim se na prek virgjërinë e lirisë së fjalës. Nëse bota juaj dhe e jona nuk zgjidh problemin e shpifjes, fundi i botës, siç e njohim, do të jetë shumë më i afërt sesa mund ta imagjinojmë ne”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se sipërmarrësit e duan më shumë këtë ligj: “Po ju them që kur e kemi nisur këtë iniciativë, më të dëshiruarit kanë qenë sipërmarrësit, pasi ata janë të shantazhuar çdo ditë nga mediat. Edhe në raport me korrupsionin, shpifja është po kaq e rëndësishme dhe po kaq e dëmshme, pasi i bën të gjithë njësoj dhe të gjithë të korruptuar, duke përcaktuar për interesa korruptive se kush është i korruptuar dhe kush jo”.