Skënderi: Bindja Demokratike, gati për të dalë e vetme në garë

Arben Skënderi i Bindjes Demokratike, i ftuar në studion e “Ditari” në A2, u shpreh se kjo parti është e përgatitur që të dalë e vetme në garë, por nuk përjashtoi asnjë bashkëpunim “mbi bazën e principeve dhe ndershmërisë”.

“Ne jemi përgatitur të dalim të vetëm në garë, pastaj, çdo lloj bashkimi parazgjedhor mbi bazën e principeve dhe ndershmërisë, jemi të hapur të bashkëpunojmë. Ne nuk përjashtojmë askënd, por larguam mundësinë e bashkëpunimit me shkaktarët e gjendjes ku ndodhet sot Shqipëria. Nuk mund të bashkëpunojmë me njerëz që tjetër gjë thonë sot e tjetër nesër. Këta njerëz nuk e kanë fare problem që të kthejnë çdo gjë në pazar”, tha Skënderi.

Ai shtoi: “Ne i kemi qëndruar që në fillim idesë se njerëzit duhet të kenë në Parlament rezultatin e votës së tyre dhe të mos kemi më allishverishe. Nëse këta e bllokojnë me ligj në Kuvend, këtë gjë ne duam ta bëjmë brenda familjes sonë. Njerëzit duhet ta kuptojnë se duhet të ndalojmë marifetet me hapjen apo jo të listave”.

Sipas Skënderit, të gjitha parashikimet që ka bërë Bindja Demokratike kanë dalë të sakta: “Në 30 qershor pati një bullizëm të theksuar ndaj Bindjes Demokratike, por dolën të gjitha ato që kishim parashikuar. Sot, opozita do të futet në zgjedhje me më pak të drejta dhe me më pak hapësira veprimi”.

Më tej, Skënderi tregoi prioritetet e Bindjes Demokratike: “BD e ka sot prioritetin për një program të saktë dhe të besueshëm. E rëndësishme është që jemi shtrirë në nivel kapilar në të gjithë vendin. Njerëzit janë të lodhur dhe të mashtruar. Në takimet e para të një partie të re, shikon mosbesimin në sytë e njerëzve. Ne nuk duhet të kufizohemi te zgjidhja e hallit të shqiptarëve, por duhet të mendojmë për frymën që duhet të përcjellim, çfarë do të ndodhë në 30 vitet e ardhshme”.